Egnatia kërkon suksesin e parë në elitë, Vllaznia synon kreun në Korçë

Do të luhen sot sfidat Egnatia-Kastrioti dhe Skenderbeu-Vllaznia të vlefshme për javën e katërt të “Abissnet Superiore”.

Në “Egnatia Arena” në orën 13:45 vendasit e drejtuar nga Magani do të synojnë fitoren e parë sezonale përballë Kastriotit të vendit të fundit. Rrogozhinasit kanë luajtur mirë në këto javë të para të kampionatit, por akoma nuk e kanë provuar shijen e tre pikëve.

Miqtë nga Kruja morën pikën e parë të këtij sezoni javën e kaluar, falë barazimit 1-1 përballë Tiranës. Të besuarit e teknikut Ndreu synojnë një tjetër rezultat pozitiv në transfertën e sotme në Rrogozhinë, që t’i largohen fundit në tabelën e klasifikimit.

Takimi tjetër i ditës së sotme është ai mes Skënderbeut dhe Vllaznisë që do të luhet në Korçë në orën 16:45. Edhe korçarët nuk e kanë nisur mirë sezonin dhe kanë grumbulluar vetëm 2 pikë në 3 takimet e luajtura në kampionat. Djemtë e Memellit do të bëjnë të pamundurën, që të marrin fitoren e parë në “Abissnet Superiore” në sfidën e sotme kundër Vllaznisë.

Një gol i Rrapaj në minutat e fundit të takimit, i mohoi fitoren Vllaznisë në ndeshjen e kaluar kundër Partizanit. Shkodranët kanë luajtur mirë në këto javë të para dhe nëse do të kishin fatin me vete, mund të kishin edhe më shumë pikë në renditje. Të besuarit e teknikut Brdariç synojnë të rikthehen tek fitorja në transfertën e sotme në Korçë, prandaj do të bëjnë të pamundurën që të kalojnë me sukses pengesën me emrin Skënderbe, që të ngjitën në krye të renditjes. /Oversport.tv