EKSKLUZIVE/ Gjoba e medaljes që u shlye me gol hakmarrjeje, Dunga i “shënon” Tiranës nga Japonia

21 nëntor 2020, në Shkodër atë mbrëmje me siguri i madh e i vogël janë ndjerë krenarë pasi Vllaznia e tyre mposhti Tiranën në klasiken e futbollit shqiptar. Ismael Dunga veshi pelerinën e heroit dhe shënoi në minutën e 97-të në portën e Visar Bekajt.

Nuk ishte një gol normal dhe ka shumë arsye. Tirana kishte menduar ta motivonte përmes një gjobe pak ditë para Klasikes. “Ismael, duhet të paguash për heqjen e medaljes në ceremoninë e festimit të titullit”. Keniani, i cili ishte paraqitur edhe në FSHF për pretendimet e tij financiare, e pranon gjobën e marrë nga Tirana.

“Po, është e vërtetë që e kam paguar gjobën”, tregon sulmuesi shtatlartë në intervistën e dhënë për gazetarin e Oversport, Vladimir Prenga. Sigurisht Dunga nuk e harron atë gol të shënuar, që padyshim ishte një hakmarrje e pastër.

“Unë gjithmonë e mbaj mend atë gol sepse prita për atë moment. E dija se sapo të më jepej mundësia do ta shënoja golin”, shton sulmuesi 28-vjeçar, i cili nuk ndalet me kaq. “Të luash para tifozëve kundër Tiranës ishte gjëja më e bukur për mua.

Dunga, pasi i shenoi Tiranes ne Klasiken e Shqiperise

Ishte një si një hakmarrje, sepse doja të shënoja. Përsa i përket tifozëve, preferoj ata të Vllaznisë para atyre të Tiranës. Ata janë më të mirët, dinë si ta mbështesin skuadrën”, thekson Dunga, i cili prej kohësh i kishte bërë të ditura problemet e pagesave me bardheblutë.

Keniani shkon edhe më tej, duke thënë se nuk e ka shijuar aspak titullin kampion me bardheblutë: “Titullin me Tiranën nuk e shijova sepse nuk kisha pse të festoja. Nuk më dhanë paratë dhe jeta që po jetoja aty ishte si një lloj ndëshkimi. Kjo është arsyeja pse them që nuk e shijova titullin që fitova me ata. Unë e fitova titullin me Tiranën, por ende nuk kam marrë asgjë.

Nuk më kanë dhënë rrogën, nuk më kanë dhënë paratë e mia. Edhe tani e di që janë disa lojtarë që nuk marrin asnjë lek aty. Prandaj edhe shumë lojtarë largohen nga Tirana, si Cale e Torassa dhe të tjerë. Kjo është arsyeja kryesore që nuk e shijova titullin kampion”.

Dunga flet edhe për garën për titull dhe shikon Vllazninë si kandidate serioze: “Se kush do ta fitojë titullin këtë sezon, varet, sepse është herët. Tirana ka një skuadër të mirë, por mendoj se Vllaznia është më e mirë. Ata janë më shumë skuadër. Për mendimin tim Vllaznia duhet të përpiqet pak më shumë për ta fituar titullin kampion”.

Sulmuesi shtatlartë spikati në Superiore me Luftëtarin, duke shënuar 7 gola. Më të bukurin ai thotë se e realizoi me fanellën e gjirokastritëve, kundër Partizanit, ndërkohë që tregon edhe trajnerët që i dhanë më shumë dorë gjatë eksperiencës në kampionatin tonë.

“Goli më i bukur ka qenë një nga ata të tre që kam shënuar kundër Partizanit, kur shënova tre gola. Sa i takon trajnerëve, dy janë ata që më kanë ndihmuar më shumë kur isha në Shqipëri.

I pari ishte Julian Ahmataj, ai më krijoi mundësinë të luaja dhe të kisha një moment të mirë. Trajneri tjetër është Brdaric, që e kisha te Vllaznia sezonin e shkuar”, përfundoi Ismael Dunga, i cili tani është pjesë e Sagan Tosu në Japoni. / oversport.tv