Tashmë mungon vetëm njoftimi zyrtar, por Edon Hasani do të jetë lojtari më i ri i Elbasanit. Burime pranë Oversport bëjnë me dije se ka një marrëveshje totale mes palëve dhe lojtari ka firmosur kontratën e tij të re me skuadrën e drejtuar nga Nevil Dede.
Hasani është kështu goditja tjetër e rëndësishme në këtë merkato verore për Elbasanin që ka si objektiv të ngjitet në elitën e futbollit shqiptar. Në edicionin e fundit të “Abissnet Superiore”, Edon Hasani ishte pjesë e Kastriotit ku u aktivizua në 33 ndeshje në total.
Me përfundimin e sezonit, Hasanit i përfundoi edhe kontrata me Kastriotin dhe tashmë është gati për aventurën e radhës. Tek Elbasani, Hasani do të bashkohet me disa nga ish-shokët e tij te Kastrioti, ku më parë janë transferuar Greca, Karakaçi, Ajazi dhe Rami. /oversport.tv