EKSKLUZIVE/ Keidi Bare: Dua Botërorin me Shqipërinë, Reja solli mentalitetin fitues

NGA OLSI TUJANI

I rritur në akademinë e Atletico Madrid, Keidi Bare është tashmë pjesë e elitës spanjolle. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, në një intervistë ekskluzive për OVERSPORT, komenton ndjesinë për La Ligan, përballjen me ish-shokët tek Atletico si dhe Kombëtaren shqiptare. Mesfushori ka një përshkrim për çfarë trajneri Reja i ka sjellë Shqipërisë dhe se çfarë synimi do të ketë ky brez lojtarësh me shumë të rinj në përbërje.

“Kombëtarja është një ëndërr e madhe dhe ne do të synojmë botërorin”, tha ndër të tjera mesfushori i Espanyol, i cili shpjegon vështirësitë e startit të këtij sezoni, për shkak edhe të dëmtimeve. Një barazim në frymën e fundit ndaj Betis dhe më tej dje një triumf, i pari në La Liga me Espanyol, ndaj Alaves. I rikthyer si titullar pas disa dëmtimesh radhazi, Bare la fushën në minutën e 74-t.

-Një pikë në frymën e fundit ndaj Betisit dhe triumfi i parë ndaj Alaves. Si janë emocionet për këto arritje në La Liga?

-E kërkuam golin dhe fatmirësisht u realizua në minutat e fundit, n takimin ndaj Betis. Më tej, dje ndaj Alaves na u anuluan dy gola në fraksionin e parë dhe më në fund shënuam për të marrë 3 pikët. Si zakonisht, kur shënon në minutat e fundit (ndaj Betis) ke një emocion të veçantë, pasi me Atleticon jemi mundur në minutat shtesë dhe këtë radhë fati ishte në anën tonë.

-Siç e përmendët, u përballët edhe me Atleticon një javë më parë, si ishte ritakimi me njerëzit e atij klubi dhe me kë ruanit ende komunikime dhe miqësi?

-E prisja shumë këtë ndeshje të them të drejtën, pasi tek Atletico jam formuar dhe më kanë edukuar si futbollist. Ndaj, ritakimi me këtë klub, është gjithmonë një kënaqësi e veçantë. Po është e vërtetë që me disa lojtarë kam raport shumë të mirë si Koke, Jimenes, Savic. Realisht është një ndjesi speciale sepse futbolli të jep njohje dhe raporte të mira me futbollistë të mëdhenj.

-Si është La Liga, emocionet, vështirësia dhe çfarë ka më të veçantë sesa nivelet e mëparshme që keni kaluar në Spanjë?

-La Liga është një magji, ëndërr e bërë realitet mbas shumë vitesh mund dhe sakrifica ia dola të luaj në këtë ligë. Një mesazh që më ka dhënë kjo është që edhe me punë mund t’ia arrish qëllimit. Çdo fëmijë që dëshiron të bëhet futbollist, e ka një ëndërr të tillë, por diferencën e bën puna, përkushtimi dhe sakrificat.

-Në çdo ndeshje jeni protagonist, por pse ju mungojnë minutat që nga starti duke qenë pak herë si titullar?

-Ditën e parë të fazës përgatitore që zhvilluam në “Marbella” këputa ligamentin e kaviljes dhe kam qëndruar jashtë ekipit për gati 2 muaj. U riktheva dhe u aktivizova në ndeshjen me Fiorentinën, ku e lëndova përsëri. Edhe më vonë në ndeshjet e para të kampionatit kam luajtur me dhimbje, por më e rëndësishme është që tani jam në formë dhe e kam marrë veten dhe ndihem më mirë.

-Shoku juaj i ngushtë Manaj, la Barcelonën dhe u rikthye në Itali. Çfarë ju tha në momentin që vendosi të largohej në Serinë A për aventurën te katalasit?

Ajo që mund të jap si përgjigje për këtë, është që unë i uroj shumë fat Reit dhe dua që ta shoh sa më lart në karrierën e tij.

-Si është Kombëtarja në syrin e një 24-vjeçari që po bën gati dhjetë vite me ekipet kuqezi, që nga moshat?

-Kam qenë që i vogël me Kombëtaren dhe çdo moshë ka pasur emocionin e vet. Sidomos kur mban edhe shiritin e kapitenit. Çdo lojtar e kupton se sa i plotësuar ndihesh, sidomos kur luan me Kombëtaren A. Përfaqësuesja është realizimi i një ëndrre të çdo lojtari dhe nuk është aspak e lehtë të realizosh një ëndërr të tillë pasi duhet shumë punë, durim dhe mbi të gjitha pasion.

-Çfarë vë re së fundmi, që më parë mungonte?

-Kjo Kombëtare ka frymën e grupit. Ne kemi formuar një grup të mirë me djem të rinj, ku me shumë prej tyre kemi qen së bashku edhe me moshat. Prandaj, njihemi shumë mirë me njëri-tjetrin dhe padyshim kjo harmoni sjell rezultat edhe në fushë.

-Çfarë objektivi ka ky brez lojtarësh me Kombëtaren?

-Synimi jonë tani është të kualifikohemi në Botëror dhe do të luftojmë deri në fund për t’ia arritur qëllimit dhe për ta ngritur Shqipërinë në majat e futbollit.

-Reja duket stoik me formacionin, por i vendosur. Po në raport me lojtarët, si është, sidomos me ata lojtarë që nga jashtë duket sikur nuk përshtaten me skemën 3-5-2?

-Ai është trajneri dhe ai vendos. Prandaj, vendimi gjithmonë duhet respektuar. Jo vetëm kaq, por ai ka bërë shumë për Kombëtaren shqiptare

-Diçka e veçantë nga puna e trajnerit Reja?

-Reja ka futur frymën e fitores.

-Kemi luajtur me Poloninë dhe me Hungarinë. Në krahasim, kush është më e fortë sipas jush?

-Çdo skuadër është e fortë por ne duhet të fokusohemi të bëjmë më të mirën sepse dhe ne kemi cilësitë tona të mira. Duhet që t’i bëjmë gjërat sa më mirë për të marrë rezultate pozitive si me Hungarinë, ashtu edhe me Poloninë dhe do ja arrijmë.

-Ku mund të arrijë Kombëtarja këtë edicion?

-Nuk mund të flas dot përpara kohe, pasi në futboll mund të ndodhë çdo gjë. Për pak ditë kemi ndeshjen me Hungarinë dhe për momentin mendojmë vetëm për atë takim. Gjithmonë duke marrë parasysh që synimi është gjithmonë Botërori. / oversport.tv