EKSKLUZIVE / Ndryshim pronësie dhe trajner i ri, AF Elbasani mendon seriozisht për sezonin e ri

Pasi arriti që të ngjisë 2 kategori në 2 vite, AF Elbasani po mendon që të ndërtojë një skuadër sa më cilësore për aventurën e re që e pret në Kategorinë e Parë. Drejtuesit e klubit po punojnë shumë në këtë aspekt dhe kanë vendosur edhe emrin e teknikut që do të drejtojë skuadrën sezonin e ardhshëm.

Oversport mëson se trajneri i ri i skuadrës së Elbasanit do të jetë një emër i njohur i futbollit shqiptar. Nevil Dede, që dikur ka fituar edhe titullin kampion me skuadrën verdheblu si lojtar, pritet të zyrtarizohet mbrëmjen e sotme si trajneri i ri i AF Elbasanit. Dede, që më parë ka drejtuar disa skuadra në kampionatin shqiptar (Dinamon, Erzenin, Tiranën, Luftëtarin) do të nisë një aventurë të re në krye të Elbasanit, me objektivin rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.

Në klubin verdheblu ka të reja edhe për sa i përket pronësisë. AF Elbasani u themelua nga Bashkia Elbasan në 21.06.2021, por tashmë një pjesë e aksioneve të klubit do të blihen nga një investitor i ri. Oversport mëson se negociatat janë drejt përfundimit dhe shumë shpejt do të bëhet publike edhe shitja e aksioneve dhe do të mësohen emrat e aksionarëve të rinj. / Oversport.tv