Ekskluzive / Patrick mbyll sezonin, mungesë e madhe për Tiranën në finalen e sezonit

Patrick Robson mbyll sezonin. Oversport ka mësuar se sulmuesi i Tiranës do të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale në ligamentet e gjurit të djathtë, çka do ta detyrojnë që të jetë jashtë fushave të lojës për të paktën 4 muaj. Një humbje shumë e rëndësishme për trajnerin Orges Shehi në organikën që ka në dispozicion, sa i përket finales së këtij sezoni.

Patrik pësoi dëmtim në ndeshjen derbi ndaj Partizanit, teksa doli nga fusha duke çaluar, e kjo ka bërë që ai të mos jetë i gatshëm për sfidën e radhës që Tirana fitoi ndaj Laçit. Jo vetëm kaq, por burime pranë skuadrës kryeqytetase konfirmojnë edhe shqetësimin  shprehur nga trajneri Shehi. Se Patrick nuk do të jetë më në dispozicion për këtë sezon.

Kjo në bazë të kontrolleve të deritanishme, pasi vetë lojtarit i është komunikuar domosdoshmëria për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale.

Patrick deri më tani ka shënuar 6 gola dhe do të jetë një alternativë e rëndësishme më pak për trajnerin e bardhebluve në pjesën e mbetur të sezonit. / Oversport.tv