Ekskluzive/ Shehi gjen afrimet për Erzenin, Regi Lushkja projektohet titullar

Tirana hap merkaton e transferimeve dhe ka gati dy afrimet e radhës. Oversport ka mësuar ekskluzivisht se bardheblutë nuk kanë më asnjë pengesë për regjistrimin e lojtarëve, dhe se për trajnerin Orges Shehi, në ndeshjen ndaj Erzenit do të jenë të gatshëm dy afrimet e merkatos, Regi Lushkja dhe Kristal Abazaj. Në takimin ndaj skuadrës shijakase, bardheblutë kanë të federuar edhe dy afrimet e reja dhe kësisoj, në organikë trajneri Shehi gjen plotësuesit si për largimet e Kallakut dhe Limajt në mesfushë, por edhe për Redon Xhixhën në repartin e avancuar.

Tirana ka arritur të zgjidhë ngërçin me merkaton e bllokuar, duke marrë lejen nga FIFA për të bërë federime në merkaton e janarit, pasi ka gjetur zgjidhjet financiare dhe akordet me lojtarët që kanë fituar më herët çështjet gjyqësore.

Në këtë takim, krahas Kallakut dhe Limajt, të larguar gjatë kësaj merkatoje, për bardheblutë mungon edhe Deliu, i cili plotësoi numrin e kartonëve ndaj Bylisit dhe është i pezulluar. Kësisoj, Regi Lushkja me shumë mundësi ka shanset për të debutuar në transfertën durrsake ndaj Erzenit për të plotësuar treshen e mesfushës me Aleksin dhe Hilën. Edhe në stërvitjen e fundit të bardhebluve, Lushkja është projektuar si titullar. / Oversport.tv