Xhuliano Skuka është emri i dytë që largohet nga skuadra e Partizanit, në të njëjtën ditë me kapitenin dhe mbrojtësin Eneo Bitri. Sulmuesi i Kombëtares do të bëhet pjesë e ligës së dytë franceze me skuadrën e Metz. Oversport ka mësuar ekskluzivisht edhe shifrat e këtij transferimi, ndërkohë që thelbësor në këtë transferim krahas formës së lojtarit ka qenë edhe zotërimi i pasaportës franceze nga sulmuesi që i jep mundësinë të federohet dhe regjistrohet me shumë lehtësi dhe jo si ekstrakomunitar.
Për partizanin është një humbje e madhe në aspektin sportiv, për vetë golat që ka shënuar sulmuesi, mirëpo në arkat klubit është futur një shifër e konsiderueshme. Oversport ka mësuar se bëhet fjalë për 1 milion euro që skuadra e Ligës së Dytë në Francë ka paguar për kartonin e Skukës, ndërkohë nuk përfundon me kaq.
Burime të besueshme për Oversport, kanë bërë me dije se drejtuesit e skuadrës së Partizanit kanë arritur që të sigurojnë një marrëveshje të artë edhe për të ardhmen. Klubi i kuq do të ruajë të drejtën e 20% të kartonit të sulmuesit, në momentin e rishitjes së tij.
Një marrëveshje me shumë leverdi jo vetëm për karrierën e sulmuesit kuqezi, pasi po shkon në një skuadër e cila synon ngjitjen në elitën e futbollit francez por edhe për Partizanin, që krahas të ardhurave aktuale që arkëton, do të ketë mundësi të përfitojë 20% të shifrës me të cilën Metz do të shesë në të ardhmen e 24 vjeçarit, autor i dhjetë golave në kampionat. / Oversport.tv