Eliminimi nga grupi shumë pranë, një tjetër sezon zhgënjyes i Barçës në Champions

Është koha e gjykimit në shtëpinë e Barcelonës, pas barazimit kundër Interit, që ka shije eliminimi nga Champions League. Matematika e mban akoma në lojë skuadrën spanjolle, që ka 3 pikë më pak se zikaltërit kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje për tu luajtur në grup.

Por nëse skuadra e Inzaghit fiton përballë Plzen, atëherë Interi kualifikohet në turin tjetër të Championsit, ndërsa për skuadrën blaugrana do të kishte një dështim të madh për të dytin vit radhazi.

Diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e këtij turneu, që kur formati është bërë me 32 skuadra në fazën e grupeve. Nëse në dështimin e sezonit të kaluar Xavi kishte vetëm pjesërisht faj, këtë sezon situata ndryshon totalisht.

Klubi ka bërë një merkato të fuqishme, duke harxhuar 153 milionë për afrimet e reja, por në rast dështimi (që është shumë pranë) humbjet ekonomike të Barcelonës do të ishin të mëdha dhe nuk mund të rikuperoheshin shpenzimet edhe nëse fitohet Europa League. / Oversport.tv

Foto: FC Barcelona Twitter