Elozhet e Pep Guardiola: U fokusuam te PSG, por Messi është i pandalshëm

Leo Messi shkëlqeu mbrëmjen e djeshme me PSG-në, duke shënuar golin e dytë të sfidës në fitoren 2-0 përballë Manchester City.

Në lidhje me paraqitjen pozitive të yllit argjentinas ka folur trajneri i “Qytetarëve” Pep Guardiola. “Ne u përqendruam te PSG para së gjithash, por është e pamundur ta mbash nën kontroll Leon”, u shpreh Guardiola.

“Ai nuk kishte shumë kontakt me topin – është e natyrshme sepse u kthye nga një lëndim dhe i nevojitej pak ritëm – por e dimë shumë mirë se kur ai mund të vrapojë me topin në këmbë është i pandalshëm”, shtoi tekniku spanjoll.

Goli i parë i “Pleshtit” me PSG-në ishte i 673-ti në karrierë me klube. Një tjetër fakt interesant është se ai i ka shënuar plot shtatë herë skuadrave të drejtuara nga Pep Guardiola, më shumë se çdo lojtar tjetër.

“I uroj atij më të mirat”, tha Guardiola për futbollistin që ka trajnuar në Barcelonë. “Nëse ai është i lumtur dhe e shijon karrierën në Paris, unë do të jem gjithashtu i lumtur”. / oversport.tv