Emerson Palmieri ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjoze “Gazeta dello Sport, ku ka shpjeguar largimin nga Chelsea dhe suksesin në Euro 2020 dhe Champions League.
Mbrojtësi i majtë, i cili luan tek Lyon në Francë, kishte një marrëveshje me Napolin, por në fund nuk u realizua. “Pas Europianit, kërkova të luaja rregullisht dhe të ndihesha i rëndësishëm. Nuk mund të luaja vazhdimisht me Chelsean dhe Roberto Mancini më shpjegoi se në këto nivele duhet të qëndroja në fushë sa më shumë të ishte e mundur.”
“Fola me Spalletin dhe më dha dritën jeshile për të kaluar tek Napoli. Nuk e di pse marrëveshja dështoi”, shpjegoi italiani, i cili tha se tek Lyon iu ofrua një projekt i mirë dhe vendosi të transferohej atje pas tre ditësh.
Sipas Emerson, ky ishte vendimi më i drejtë për të. “Ka shumë të rinj dhe grup të bashkuar, madje kam Paquetën, Guimaraes, Mendes dhe Henrique, të cilët më ndihmuan të vendosem këtu.”
Me Italinë, ai kishte konkurrencë pozitive me Spinazzola. “Kam luajtur më shumë se ai, por në Europian luajti më mirë. U përpoqa të ndihmoja kur u lëndua, por në Kombëtaren tonë forca është grupi”.
Për shokët e tjerë të skuadrës në Kombëtare, Gigio Donnaruma dhe Jorginho, Palmieri shprehet se të dy kanë bërë mirë në Europian. “Donnaruma kaloi mirë tek Milan, ashtu sikurse dhe Jorginho aktualisht te Chelsea, dhe i meritojnë çmimet e fituara individuale”.
Në sezonin e kaluar, ai u shpall kampion me Italinë në Euro 2020 dhe kampion Europe me Chelsean në Champions. “Ishin dy eksperienca të pabesueshme, por fitorja me kombëtaren ishte më intensive sepse ti fiton për një shtet të tërë”-përfundoi 27-vjeçari. /Oversport.tv