Emocione të mëdha në Oversport, luhet derbi i Romës në orën 18.00

Është dita e derbit numër 155 në Serie A mes Lazios dhe Romës, që do të përballen në orën 18.00 në stadiumin “Olimpiko”, në një sfidë që do të transmetohet Live dhe ekskluzivisht në Oversport 1.

Është derbi i parë i kryeqytetit për trajnerët e të dyja skuadrave, Maurizio Sarri dhe José Mourinho, që kanë zbarkuar në “qytetin e përjetshëm” vetëm para disa muajsh.

Sezonin e kaluar, me stadiumet pa tifozë për shkak të pandemisë, u respektua faktori fushë, bardhekaltërit fituan 3-0 në ndeshjen e parë, ndërsa verdhekuqtë 2-0 në ndeshjen e kthimit.

E reja e bukur e këtij viti do të jetë rikthimi i tifozëve në stadium, ndonëse në 50% të kapacitetit. Do të jenë rreth 30 mijë tifozë në “Olimpiko” për të shijuar këtë sfidë.

Rivaliteti, historia, pasioni i tifozëve për këto dy skuadra e bëjnë derbin e Romës një nga ndeshjet më të veçanta të Serie A dhe të gjithë Botës.

Spektakli në fushë është i garantuar, ashtu si komenti dhe transmetimi ekskluziv në Oversport.

Lazio po kalon një moment të vështirë dhe nuk po gjen dot rrugën e suksesit. 2 humbje dhe 2 barazime kanë arritur bardhekaltërit në 4 takimet e fundit mes kampionatit dhe Kupave të Europës.

Të besuarit e Sarrit kërkojnë të reagojnë në derbin e sotëm, duke synuar kthesën, me një fitore përballë rivalëve historikë.

Roma ka nisur më mirë sezonin, duke marrë 4 fitore në 5 takimet e para që ka luajtur në kampionat. Verdhekuqtë kërkojnë një tjetër sukses në derbin e sotëm, që të ruajnë hapin e skuadrave kryesuese. Lorenzo Pellegrini është mungesa e madhe e Romës, por në dispozicion të Mourinhos rikthehet Vina.

Hysaj është shqiptari i vetëm që do të luajë si titullar derbin e sotëm, ndërsa Muriqi, Strakosha dhe Kumbulla presin mundësinë e tyre në stol.

Formacionet e mundshme

Lazio (4-3-3) : Reina; Lazzari, Luiz Felipe, Acerbi, Hysaj; Milinkovic, Leiva, Luis Alberto; Pedro, Immobile, Felipe Anderson.

Roma (4-2-3-1): Rui Patricio; Karsdorp, Mancini, Ibanez, Vina; Cristante, Veretout; Zaniolo, Mkhitaryan, El Shaarawy; Abraham.