Nedim Bajrami gjen golin e parë në Serinë A. Pas dy ndeshjeve fantastike në start me Empolin, ndaj Juves dhe Lacios, mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit ka shënuar sot për emilianët në përballjen ndaj Venecias.
Në ndeshjen e transmetuar ekskluzivisht për Shqipërinë dhe Kosovën në “Oversport”, u realizuan 3 gola, teksa i treti ishte më firmën e lojtarit të afruar së fundmi me Kombëtaren. Futbollisti kuqezi shënoi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 90-të, pasi VAR konfirmoi një faull të portierit Vicario.
Djaloshi i Kombëtares shqiptare u tregua i saktë për të ngushtuar shifrat e takimit, pasi më herët Venecia kishte realizuar nga një gol në të dyja pjesët. Henri e zhbllokoi këtë sfidë në minutën e 13-të të takimit, i cili mbeti8 në fuqi për fraksionin e parë të lojës.
Në të dytën, Empoli e nis mirë në kërkim të barazimit, por është skuadra mike që ja del të realizojë të dytin gol. Okereke realizon një gol mjaft të bukur, për 0-2 teksa regjistrohej minuta e 68-të. Emilianët nuk u dorëzuan, por në të fundit e kohës së rregullt, kryesori i ndeshjes, Rapuano, me ndihmën e VAR-it, akordon një penallti.
Nedim Bajrami e shndërron në gol për 1-2. Me gjithë përpjekjet e Bajramit dhe të tjerëve, ku mesfushori kuqezi i shkon disa herë pranë golit me disa goditje të rrezikshme, ndeshja përfundon me këtë rezultat. Në këtë takim titullar ishte edhe mbrojtësi Ardian Ismajli, i cili luajti vetëm 45 minuta. Pas 3 ndeshjeve, Empoli e Venecia kanë nga 3 pikë. / oversport.tv