“Ende fitohet me gol pozicion jashtë loje”, Lazio replikon, arbitrat pezullohen

Goli i Francesco Acerbi kundër Spezia ka shkaktuar polemika të shumta. Tre pikët e marra nga Lazio në këtë mënyrë bënë që edhe trajneri i Romës, Jose Mourinho, të reagonte.

Referuar goli të rivalëve të qytetit, portugezi u shpreh: “Historia nuk ka ndryshuar. Unë jam trajner për 22 vite dhe asgjë nuk ndryshon. Dikur mund të fitoje një ndeshje me një gol pozicion jashtë loje dhe mund ta bësh edhe sot. Një ekip fitoi një ndeshje me një gol që ishte pozicion jashtë loje”.

Kjo deklaratë mori edhe një përgjigje nga Lazio: “Ka ende nga ata që shikojnë më shumë shtëpinë e tjetrit, për të larguar vëmendjen nga rezultatet e tyre. Disa kanë ngecur ende në përsëritjen e akuzave ndaj arbitrave. Lazio beson se vlerat tregohen në fushë dhe jo në studio televizive.

Linja e klubit është e qartë, që nuk i diskuton vendimet e marra. Kemi edhe ne episode vendimtare kundër, por kemi zgjedhur të heshtim në respekt të arbitrave në fushë dhe VAR, gjë që të tjerët nuk e kanë treguar dhe vazhdojnë të mos e shfaqin”.

Ai gol do të marrë në qafë edhe ekipin e arbitrave, që sipas mediave në Itali do të pezullohen deri në fund të këtij sezoni, pasi nuk pati reagim as në fushë e as në VAR. Luca Pairetto dhe dy asistentët e tij, Giuseppe Perrotti dhe Salvatore Affatato, si dhe arbitri i katërt Matteo Gariglio janë mes atyre që do pezullohen.

Sigurisht e pëson edhe ekipi i VAR, me në krye Luigi Nasca dhe asistetin Filippo Valeriani. Vendimi i marrë në ndeshjen Spezia-Lazio është konsideruar i nxituar dhe është vënë re një mungesë komunikimi në kohë, mes arbitrave në fushë dhe atyre të VAR. / oversport.tv

Foto: S.S.Lazio, Twitter