Enis Bardhi ndal me dy gola Atleticon, Sociedadi merr kreun e LaLiga

Kampionët në fuqi të Spanjës, Atletico Madrid janë ndalur në një barazim 2-2 kundër Levantes. Djemtë e Simeones nuk kanë mundur dot të gjejnë fitoren edhe falë performancës së mirë të Enis Bardhit që shënoi dy gola me 11-metërsh.

Kështu siparin e golave e hapën miqtë me Griezmann që gjeti hapësirën e duhur në zonë dhe shënoi me një goditje me kokë. Pak minuta më vonë arbitri akordoi një penallti e cila u shndërrua në gol nga shqiptaro-maqedonasi Enis Bardhi.

Për të kaluar përsëri miqtë në avantazh mendoi i sapo futuri në fushë Cunha. Braziliani shfrytëzoi mjaft mirë një pasim të Rodrigo De Paul dhe i vetëm për vetëm me portierin nuk fali duke e çuar rezultatin në 2-1. Sakaq, në minutën e fundit të takimit, Enis Bardhi do të barazpeshonte gjithçka përsëri me një 11-metërsh duke e vulosur edhe rezultatin final të takimit në 2-2.

Në ndeshje të tjera Real Sociedad ka marrë kryesimin e LaLiga pasi fitoi në fushë kundërshtare kundër Celta Vigos me rezultatin 2-0. Golat e Isak dhe Elustondo mjaftuan për tu kthyer me tre pikë nga kjo transfertë. Kështu, Sociedad ngjitet në vendin e parë të renditjes me 24 pikë, 3 më shumë se Real Madrid dhe Sevilla që kanë nga një ndeshje më pak.

Ndërkohë, Granada dhe Getafe janë ndalur në një barazim 1-1. Për miqtë shënoi Unal në pjesën e parë të takimit ndërkohë që në të dytën Granada humbi edhe një penallti me Suarez. Kur gjithçka pritej të përfundonte me atë rezultat, ishte Molina që ndryshoi gjithçka duke shënuar pak sekonda nga përfundimi i takimit. Kështu, rezultati përfundimtar i ndeshjes u vulos në 1-1.

LA LIGA-JAVA E 11-TË
LEVANTE-ATLETICO MADRID 2-2
Shënues:
Bardhi (pen) 37’, (pen) 90’ / Griezmann 12’, Cunha 76’

CELTA VIGO-REAL SOCIEDAD 0-2
Shënues:
Isak 54’, Elustondo 79’

GRANADA-GETAFE 1-1
Shënues:
Unal 36’/ Molina 90+7