Erzeni i beson stolin një eksperti, të hënën zyrtarizohet trajneri i njohur

Duket se Erzeni i sezonit të ri po fillon të marrë formë. Burime pranë klubit shijakas bëjnë me dije se Mirel Josa do të jetë trajneri i ri i skuadrës për sezonin e ri.

Erzeni është mbrapa me përgatitjet në këtë start sezonal dhe situata në kampin shijakas ka qenë e paqartë, sidomos në lidhje me drejtuesit (presidencën) e rinj të klubit.

Duket se tashmë situata po përmirësohet dhe skuadra po fillon të marrë formë. Të hënën pritet që Josa të zyrtarizohet në krye të stolit shijakas dhe më pas të bëhen publike edhe afrimet e reja në skuadër.

Josa është një nga emrat më të spikatur të trajningut në Shqipëri me një karrierë dhe eksperiencë të gjatë. 60-vjeçari nga kryeqyteti ka drejtuar shumë skuadra në vend (Tirana, Vllaznia, Skënderbeu, Kukësi, Elbasani, Laçi, Teuta mes të tjerash), ndërsa sezonin e kaluar ishte në drejtimin e Vllaznisë. / Oversport.tv