Është momenti i Brojës, sulmuesi vendos rekorde me golin e shënuar

Southampton ka arritur fitoren e parë sezonale në Premier Ligë, pasi ka mposhtur 1-0 Leeds United ditën e djeshme. Heroi i takimit për “shenjtorët” ka qënë shqiptari Armando Broja, që në minutën e 53-të ka shënuar golin e vetëm të kësaj sfide.

Një gol historik për sulmuesin shqiptar, që në ndeshjen e tij të parë si titullar, gjeti golin e parë në kampionat me fanellën e Southamptonit. Broja bëhet lojtari më i ri (20 vjeç e 36 ditë), që nis lojën si titullar, dhe gjen rrugën e rrjetës me fanellën e “shenjtorëve” në Premier Ligë.

Broja vendos dhe një tjetër rekord me golin e shënuar, pasi bëhet shtetasi i parë shqiptar që shënon në kampionatin anglez të futbollit.

Sulmuesi, që shkëlqeu në 2 ndeshjet e fundit të kombëtares, ku shënoi edhe golin e fitores kundër Hungarisë, konfirmon gjendjen e mirë që po kalon, duke shkëlqyer edhe në Premier Ligë. Goli i parë erdhi dhe tashmë Broja synon që me golat e tij të ndihmojë sa më shumë skuadrën e Southamptonit. /Oversport.tv