“Është skuadër e fortë fizikisht”, Memelli pas shortit: Do të bëjmë paraqitje dinjitoze për të kaluar më tej

Pas shortit të Conference League, ku Vllaznia mësoi se kundërshtari i saj do të jetë Linfield nga Irlanda e Veriut, ka reaguar edhe trajneri Migen Memelli. Ky i fundit tregoi pritshmëritë që ka nga kjo ndeshje, duke konfirmuar se do të përpiqen të bëjnë një përfaqësim dinjitoz dhe pse jo të kalojnë më tej.

“Futbolli po tregon që nuk ka skuadra të mëdha dhe të vogla, por gjithsesi ne vlerësojmë kundërshtarin, dhe të jemi sa më serioz dhe sa më kompetitiv në këtë kompeticion. Nuk ndryshon shumë futbolli sot në transferta dhe në sfidat brenda, e rëndësishme është që të bësh mirë në të dyja ndeshjet.

Do të mundohemi me seriozitet të bëjmë sa më mirë, të jemi sa më strikt për gjërat tona. Në këto ditë jam shumë i kënaqur me punën e lojtarëve.

Nuk duhet t’i trembemi faktit, por as të neglizhojmë sepse përpara kemi një skuadër që është e fortë fizikisht. Është një skuadër që do të mundohemi të bëjmë maksimumin tonë për të qenë sa më dinjitozë dhe pse jo edhe për të kaluar”, tha në fjalët e tij Migen Memelli.