“Është transformuar, rritje e jashtëzakonshme”, Tonali i bën të gjithë për vete

Nga Brescia te Milani, për mundësinë e jetës. Viti i parë si kuqezi ishte larg pritshmërive për Sandro Tonalin. Në 25 takime të luajtura, italiani numëroi 0 gola dhe 0 asiste, duke shfaqur një formë tepër të dobët. Kur shihej si një investim i dështuar, drejtuesit besuan tek ai dhe i blenë përfundimisht kartonin.

Pas shumë kritikave të sezonit që lamë pas, duket se sezoni i ri ka nisur në mënyrë fantastike për mesfushorin 21-vjeçar. Rritje në lojë, por edhe një vend titullari, me Kessie dhe Bennacer që herë pas here zëvendësojnë njëri-tjetrin në pankinë.

Tashmë, kritikat janë kthyer në lavdërime dhe për këtë gjë kanë folur edhe Donadoni me Di Canion.

“Krahasuar me vitin e kaluar, ai është transformuar plotësisht. Më pëlqen shumë si lojtar. Është përmirësuar dhe është i vetdijshëm për cilësitë që ka. Mendoj se do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën”, deklaroi Roberto Donadoni për Radio Rai.

Nga ana tjetër, edhe Paolo Di Canio foli për cilësitë e Tonalit. “Rritja e tij ka qenë e jashtëzakonshme. Ajo çfarë ai bën në fushë është e një niveli të lartë. Bën të njëjtat gjëra që bënte te Brescia, vetëm se tani i bën akoma më mirë”, shtoi  ish-ylli i Lazios për Sky Sport. / oversport.tv