Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur në ceremoninë hapëse të Kampionatit Europian të Peshëngritjes, që do të zhvillohet në Tiranë nga data 27 maj deri në 5 qershor dhe do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. Sporti bashkon njerëzit dhe nëse të gjithë bëjmë siç duhet detyra tona, atëherë mund të arrijmë gjëra të mëdha ka qenë mesazhi i krye-bashkiakut të kryeqytetit.
“Faleminderit Elezit që na ka mbledhur bashkë me një familje të madhe të peshëngritjes europiane. Faleminderit Komitetit Olimpik që ka kthyer Tiranën në qendër të vëmendjes për sportin. Veçanërisht për sportin e peshëngritjes që na ka sjellë shumë medalje.
Kemi pasur një javë të jashtëzakonshme, e nisëm me futbollin. Ku kishte një bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për një organizim perfekt të finales së Conference League. Tashmë kalojmë në një tjetër atmosferë festive në parkun olimpik, pasi mirëpresim Kampionatin Europian të Peshëngritjes.
Bëjmë tifo për skuadrën kuqezi, por zemrën e kemi të hapur për të 39 vendet pjesëmarrëse. Sporti na bën të reflektojmë, sepse nuk do të ngremë ne peshat në pedanë, por secili prej nesh ka një peshë për të ngritur në profesionin që bën. Duhet të aftë të kalojmë me sukses provat tona dhe nga gara në garë të rrisim ambiciet dhe të ngremë pesha më të rëndë.
Falënderoj sportistët nga Ukraina, që kanë ardhur këtu në një kohë të vështirë. Duhet të jemi dinjitozë dhe nëse secili prej nesh thyer rekordin në punën e tij, atëherë të gjithë së bashku mund të thyejmë rekorde më të mëdha.
Po ju tregoj një histori. Bolt mbylli karrierën me një pasuri 120 milion euro, dhe njerëzit thoshin se ai fitoi kaq shumë vetëm sepse vrapoi 115 sekonda. Por atij iu desh 20 vite punë, për të arritur atë rekord, pa harruar sakrificën e familjes, stafit dhe vendit të tij.
Punohet me vite, që këta kampion të dalin disa sekonda këtu në pedanë. Faleminderit për sakrificën dhe besoj se ky mesazh do të na motivojë të gjithëve”, ka thënë mes të tjerash kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. / Oversport.tv