Eurovollej 2021, Polonia kërkon hakmarrje ndaj Sllovenisë

Dy vite më parë rrugët e tyre u kryqëzuan në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian 2019, ndërsa sot Polonia dhe Sllovenia takohen sërish në të njëjtën fazë të turneut, kësaj radhë në qytetin polak të Katowices.

Kampionët në fuqi të Botës u mundën në ndeshjen e 2 viteve më parë dhe sot kërkojnë të marrin hak, duke synuar finalen e madhe që mungon që nga viti 2009. Vit në të cilin Polonia fitoi turneun, duke siguruar kështu të vetmin titull kontinental.

Polonia është skuadra që është paraqitur më mirë në këtë edicion të Eurovollej, duke fituar të gjitha takimet e luajtura deri më tani. Vendasit janë në formë të shkëlqyer dhe kjo u pa edhe në çerekfinalen kundër Rusisë. Leon, Piotr Nowakowski dhe Fabian Drzyzga janë yjet e skuadrës polake, që po shkëlqejnë në këtë kompeticion.

Nëse fiton përballë polakëve, Sllovenia do të arrinte finalen e tretë në katër edicionet e fundit të Eurovollej, duke përsëritur performancat e vitit 2015 dhe 2019, ku u kënaqën me medaljen e argjendtë.

Sllovenët nuk kanë shkëlqyer në ndeshjet e grupeve, por kanë gjetur ritmin e duhur në ndeshjet me eliminim direkt.

Poloni-Slloveni do të luhet në orën 17.30 dhe do të transmetohet Live dhe ekskluzivisht në kanalet Oversport për Shqipërinë edhe Kosovën. /Oversport.tv