Fabinho: Interi ekipi më i mirë në Itali, Liverpool do çdo trofe

Liverpool kërkon të fitojë edhe në ndeshjen e dytë kundër Interit. Braziliani Fabinho, i pranishëm në konferencë për shtypin, foli për duelin me zikaltrit, që i vlerësojnë dhe bën thirrje që ta mbyllin sa më parë çështjen e kualifikimit, edhe pse kanë triumfuar 2-0 në “San Siro”.

“Nesër duam të fitojmë sërish, kundër një skuadre të shkëlqyer si Interi. Në 2-3 vitet e fundit Interi ka qenë ekipi më i mirë në Itali. Ata janë një ekip që luan futboll të bukur dhe që luajtën më mirë se ne ndeshjen e parë, pavarësisht rezultatit. Tani do të luajmë në ‘Anfield’, para tifozëve tanë. Duhet të japim gjithçka, mos ta lejojmë Interin të besojë. Duhet ta mbyllim sa më parë kualifikimin”.

“Lufta në tre fronte? Nuk është e lehtë, pasi duhet të luajmë shumë ndeshje brenda pak ditëve. Gjithsesi është edhe bukur, pasi të gjithë lojtarët janë të impenjuar dhe ne kemi mundësinë të fitojmë sa më shumë tituj. Jemi Liverpool dhe luajmë çdo vit për të fituar çdo trofe e çdo ndeshje. Lojtarët duhet të jenë të gatshëm fizikisht dhe mendërisht”.

“Kam shënuar 6 gola deri tani dhe do të doja të arrija të paktën 10 gola. Mendoj se është e mundur, pasi Klopp tani më kërkon të shënoj më shumë. Nuk e mendoj shumë, por skuadra jonë në përgjithësi po shënon shumë gola”, u shpreh Fabinho. / oversport.tv