Fair Play Financiar, Milani mund t’i shpëtojë sanksioneve nga UEFA

Milan dhe UEFA takohen sërish. Tema e takimit është sërish Fair Play Financiar. Klubi kuqezi, i përfaqësuar nga CEO Ivan Gazidis dhe menaxheri i Elliott, Giorgio Furlani, u takua me përfaqësues të CFCB, organi financiar kontrollues në Nyon të Zvicrës.

Të dy menaxherët e Milanit paraqitën argumentat e tyre mbi stabilitetin ekonomik të kuqezinjve dhe i kanë kërkuar UEFA-s të mos ketë asnjë sanksion për ta. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, përshtypjet e para janë të mira edhe pse ende nuk ka ardhur një përgjigje zyrtare.

Kompania kuqezi i është afruar qëndrueshmërisë ekonomike si klub, pavarësisht vështirësive të mëdha që kaloi në pandemi. Bilanci midis shpenzimeve dhe të ardhurave është ulur ndjeshëm pas dënimit që UEFA i dha në vitin 2019.

Deficiti i Milanit po zvogëlohet vazhdimisht edhe pse bilanci i buxhetit nuk i ka arritur akoma kërkesat e UEFA-s. Nga 194 milionë euro humbje në qershor të vitit 2020, humbjet kanë shkuar në 96 milionë në vitin 2021.

Ndërkohë që në vitin 2022, deficiti pritet të jetë rreth 40 milionë euro, pak më shumë se kufiri i vendosur nga UEFA. /oversport.tv