Favoriti, të nominuarit dhe ku transmetohet: Gjithçka për “Topin e Artë”

France Football do të japë “Topin e Artë” sonte, pas një viti pushim. Gjasat janë që Leo Messi ta marrë për herë të shtatë këtë trofe. Me siguri polemikat do të jenë të mëdha, duke parë që argjentinasi ka fituar vetëm Copa America.

Robert Lewandowski ishte favorit vjet, kur u anulua për shkak të pandemisë dhënia e çmimit. Shifrat e polakut edhe sezonin e fundit kanë qenë fantastike, gjithsesi duken të pakta gjasat që ta fitojë për herë të parë këtë trofe individual.

Ceremonia do të mbahet në “Theatre du Chatelet” në Paris dhe do të jepet “Topi i Artë” për femra e meshkuj, si dhe “Kopa Trophy” për lojtarin më të mirë nën 21 vjeç. Gjithashtu sonte shpallet edhe fituesi i “Yashin Trophy” për portierët.

Ceremonia do të nisë në orën 20:30 dhe do të transmetohet LIVE në kanalin e “L’Equipe” në Youtube. Më poshtë ju sjellim listën e 30  futbollistëve të nominuar për fitimin e “Topit të Artë”. / oversport.tv