Ferrero është zyrtarisht Presidenti i ri i Juventusit: Do të punojmë për lavdinë e këtij klubi

Një tjetër epokë për Juventusin nis zyrtarisht ditën e sotme. Klubi bardhezi nuk do të jetë më nën drejtimin e Andrea Agnellit dhe vendin e tij si president i “Zonjës së Vjetër”, ashtu si pritej do ta marrë Gianluca Ferrero. Ky i fundit u zgjodh si kreu i klubit bardhezi gjatë Asamblesë së Përgjithshme të zhvilluar nga kupola e Juventusit.

Pas zyrtarizimit si presidenti i Juventusit, Ferrero u ndal përpara mediave për të thënë edhe fjalët e tij të para në krye të bardhezinjve. Duke falenderuar paraardhësin e tij Agnelli si dhe tifozët e Juventusit, Ferrero premtoi se do të ndërtojë një klub që do të jetë në lartësinë e historisë së ndërtuar në 125 vitet e ekzistencës së tij.

“Ne do të punojmë dhe do të ndërtojmë për Juventusin një të ardhme në lartësinë e së shkuarës së lavdishme 125-vjeçare, që e ka bërë këtë klub një krenari sportive dhe shoqërinë më të fortë në futbollin italian. Përshëndetja e parë shkon për tifozët e skuadrës, që kanë qenë gjithmonë forca dhe zemra e klubit. Kam pasur mundësinë të flas me ta dhe i kam parë të përhumbur, dyshues, të frikësuar dhe të shqetësuar për të ardhmen e klubit dhe për këtë gjë dua të tregohem shumë i qartë.

E kam marr sot postin e presidentit të Juventusit me shumë emocion dhe me shumë krenari. Në daljen time të parë publike si president, dua të falenderoj të gjithë presidentët që kanë qenë përpara meje me të cilët kam kaluar edhe një pjesë të jetës sime. Në veçanti me Andrea Agnellin që sot më ka dhuruar këtë fanellë të bukur që shpresoj të jemë në lartësinë e duhur për ta nderuar si e meriton, kështu që faleminderit Andrea”, u shpreh ndër të tjera presidenti i ri i Juventusit, Gianluca Ferrero. /oversport.tv

Foto: juventus.com