Egnatia ka arritur të shmangë humbjen në ndeshjen e parë të kualifikuesve të Conference League përballë Araratit duke barazuar me shifrat 1-1. Fillimisht vendasit shënuan në pjesën e parë me Alemanon, ndërsa rrogozhinasit barazuan në frymën e fundit me Duamenan.
Pjesa e parë nisi e luftuar nga të dyja kampet që patën disa raste të pastra shënimi. Rastin më të mirë të kësaj pjese për Egnatian, e pati Redi Kasa që ishte një për një me portierin kundërshtar, por nuk arriti dot ta çojë topin në rrjetë.
Në momentin më të mirë të rrogozhinasve, Ararati arriti të dërgojë topin në rrjetë me anë të Alemanos që goditi topin mjaft mirë me kokë. Fragmenti i parë i kësaj sfide u mbyll në shifrat 1-0 për skuadrën vendase.
Në pjesën e dytë, Egnatia kërkoi sërish të gjejë të paktën një gol dhe iu afrua shumë me Duamenan. Sulmuesi i rrogozhinasve bëri një goditje të përkryer në trekëndëshin e portës së kundërshtarëve, por portieri Ermakov ishte hero falë një pritjeje fantastike.
Rrogozhinasit u munduan shumë për të gjetur golin e barazimit dhe arritën të shënonin në frymën e fundit me Rafael Duamenan. Ndeshja e kthimit do të luhet më datë 20 korrik të javës së ardhshme, ku Egnatia do të presë Araratin. /oversport.tv