Festë në garën e Singaporit, ja kombinimet që kurorëzojnë Verstappenin kampion bote

Me 116 pikë diferencë nga vendi i dytë dhe me vetëm 6 gara të mbetura, Max Verstappen është shumë pranë kurorëzimit si kampion bote për herë të dytë radhazi në Formula 1. Piloti holandez ka zhvilluar një sezon fantastik dhe mund të fitojë titullin që në garën e radhës në Singapore.

Për të ngritur në qiell trofeun e kampionit, megjithatë, janë dy kombinime që duhet të ndodhin në Çmimin e Madh të Singaporit. Në rast se Verstappen fiton garën dhe regjistron kohën më të shpejtë dhe Perez e mbyll në vendin e pestë, ndërsa Leclerc në vendin e nëntë, atëherë piloti holandez shpallet kampion bote.

Mundësia tjetër është që Verstappen thjesht të fitojë dhe Perez ta mbyll garën të paktën në vendin e gjashtë, ndërsa Leclerc në vendin e dhjetë. Në rast se këto skenarë nuk ndodhin, atëherë llogaritë për festë do të shtyheshin për garën e radhës në Japoni. /oversport.tv

Foto: Formula 1, Facebook