Festimet shoviniste të serbëve, FFK do të ankohet në UEFA

Pas veprimeve fashiste të bëra nga futbollistët e Serbisë pas fitores ndaj Portugalisë, Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur të ankohet në UEFA. Ata u shfaqën pas ndeshjes me fanella që kishin mbishkrime irredentiste nacionaliste dhe diçka e tillë nuk i ka pëlqyer aspak zyrtarëve të Kosovës.

Si pasojë ata kanë bërë të ditur në faqen e tyre zyrtare se nuk do ta lënë diçka të tillë të kalojë pa u vënë re. Gjatë postimit vihet re se ata do të kërkojnë me ngulm nga UEFA që të dënojnë veprime të tilla.

Posti i plotë

“Federata e Futbollit e Kosovës do të ankohet në UEFA për veprimin e futbollistëve të Serbisë, të cilët pas ndeshjes me Portugalinë janë shfaqur me fanella me mbishkrim irredentist nacionalist. FFK konsideron se propagandimi i një kënge nacionaliste nga futbollistët e Kombëtares së Serbisë, në tekstin e të cilës përmenden dy qytete të vendeve fqinje të saj, Prizreni i Republikës së Kosovës dhe Rumja i Malit të Zi është i papranueshëm.

Ky gjest nxitës dhe nacionalist nuk përkon me vlerat evropiane, por thjesht është pjesë e ëndrrave dhe mendimeve shoviniste dhe irredentiste serbe. Futbolli është sporti më i popullarizuar në botë dhe kudo vlerësohet për krijim të urave të miqësisë ndërmjet popujve dhe si të tillë duhet ta ruajmë, e jo të shërbejë si mjet propagandues për shovinizëm të tërbuar.

FFK në vazhdimësi është kujdesur për propagandim të vlerave sportive dhe miqësore, prandaj do të kërkojë me ngulm nga UEFA që të dënojë veprimet e tilla, që vijnë nga një ekip kombëtar, i cili futbollin e shfrytëzon për propagandë të mendimeve të prapambetura”. /oversport.tv