FIFA ndaloi shiritin për të drejtat e LGBTQ, Gjermania e nis me shenjë proteste sfidën ndaj Japonisë

FIFA ndaloi kapitenët e ekipeve të mbajnë në fashën e kapitenit shkrimin “One Love” që i kushtohet të drejtave të komunitetit LGBTQ. Ky shirit do të mbahej edhe nga Manuel Neuer, por FIFA vendosi ta ndalonte këtë gjë për shkak se shkon kundër rregullave që ka Katari.

Megjithatë, Kombëtarja gjermane nuk e ka lënë të kalojë pa një reagim këtë ngjarje. Lojtarët gjermanë kanë vendosur që në shenjë proteste në fotografinë e zakonshme përpara ndeshjes, të vendosin dorën te goja, për të treguar se po mungon liria e fjalës.

Kombëtarja gjermane reagoi gjithashtu edhe përmes një posti në Twitter ku tha se të ndalosh një shirit kapiteni, është njësoj si të ndalosh dikë të flasë.

Një shenjë proteste kjo që vjen edhe pas reagimeve që ka bërë numri 1 i shtetit gjerman, Olaf Scholz. Ky i fundit në një konferencë për shtyp tha se të drejtat e komunitetit LGBTQ nuk janë të negociueshme dhe kjo që po ndodh në Katar është e papranueshme. /oversport.tv

Foto: Germany, Twitter