Fillon lufta Napoli-Nigeri: Osimhen grumbullohet për Kupën e Afrikës

Sapo ka filluar rikuperimin nga dëmtimi, por Victor Osimhen është bërë që tani një çështje e nxehtë mes Napolit dhe kombëtares nigeriane. Pa pritur akoma që të verifikohet gjendja e sulmuesit, Nigeria ka vendosur që të grumbullojë bomberin e Napolit në fazën përgatitore që do të zhvillohet në Lagos, në prag të Kupës së Afrikës.

Këtë vendim kombëtarja afrikane ia ka komunikuar edhe klubit italian, që nuk e ka pritur mirë këtë fakt dhe tashmë duket se do të fillojë një luftë diplomatike mes palëve. Napoli do të mundohet të argumentojë se sulmuesi ka nevojë për 90 ditë që të rikuperohet plotësisht pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Osimhen filloi dje stërvitjen, fillimisht duke vrapuar vetëm dhe më pas në palestër, për të ndjekur stërvitjen personale. Sulmuesi do të vazhdojë kështu për të paktën edhe një javë, pa qenë nevoja që të mbajë një maskë, për të mbrojtur syrin e operuar.

Rikuperimi duket në rrugë të mbarë dhe Napoli shpreson që ta ketë në dispozicion më shpejt se prognoza prej 90 ditësh që u vendos në fillim nga mjekët. Largimi në Kupën e Afrikës, duket një hap i nxituar për skuadrën italiane.

Por, Nigeria nuk ka ndërmend që të heq dorë nga një prej lojtarëve të saj më të mirë dhe e ka grumbulluar për fazën përgatitore në prag të turneut të Kupës së Afrikës. Napoli nuk është dakord dhe ka frikë se mos Osimhen dëmtohet sërish duke u munduar që të jetë i gatshëm sa më shpejt për kombëtaren e tij. / Oversport.tv