Finale për Portugalinë dhe Spanjën, grupet A, B dhe H ndajnë “biletat” e Botërorit

Do të luhen sot ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës, Katar 2022, për grupet A, B, H dhe J, rezultatet e së cilave do të përcaktojnë 3 skuadrat që do të kualifikohen direkt për në fazën finale të Botërorit si dhe 4 skuadrat e dyta në secilin grup, që do të luajnë në Play Off.

Gjermania ka siguruar një biletë për në fazën finale të turneut si e para e grupit J, ndërsa vendi i parë në grupet A, B dhe H do të vendoset sot në përballjet direkte Portugali-Serbi, Spanjë-Suedi dhe Kroaci-Rusi.

Vendi i parë në grupin A do të përcaktohet nga përballja direkte mes Portugalisë dhe Serbisë. Pas 7 ndeshjesh të luajtura të dyja skuadrat qëndrojnë në kuotë të barabartë pikësh (17), por grupin e kryesojnë portugezët pasi kanë golavarazh më të mirë.

Vendasit kanë nevojë për 1 pikë në këtë finale të parakohshme, që të sigurojnë në vend në fazën finale të Kupës së Botës. Si Portugalia edhe Serbia nuk kanë pësuar humbje në këtë fushatë eliminatore, ndërsa ndeshja e parë në Beograd përfundoi 2-2.

E para e grupit shkon në Botëror, ndërsa e dyta (njëra mes Portugalisë dhe Serbisë) do të luajë në Play Off. Ndeshja tjetër e këtij grupi është sfida Luksemburg-Irlandë.

Edhe vendi i parë në grupin B do të përcaktohet nga përballja direkte mes Spanjës dhe Suedisë që do të luhet në Seville. Spanjollët kanë një pikë më shumë se suedezët (16 me 15) dhe luajnë për dy rezultate në këtë finale të parakohshme.

Suedia e ka mposhtur Spanjën në ndeshjen e parë të grupit dhe nëse do të që kualifikohet direkt për në Botëror, duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe sot, në të kundërt Ibrahimovic me shokë do të luajnë në Play Off. Greqia do të luajë kundër Kosovës në ndeshjen tjetër të grupit.

Përballja direkte mes Kroacisë dhe Rusisë do të përcaktojë skuadrën që do të kualifikohet në Botëror, si e para e grupit H. Rusët kanë 2 pikë më shumë se kroatët dhe kualifikohen edhe nëse barazojnë ndeshjen e sotme.

Ballkanasit duhet të fitojnë me çdo kusht këtë finale që të kualifikohen direkt në Katar 2022, në të kundër duhet të tentojnë këtë objektiv përmes ndeshjeve të Play Off-it. Maltë-Sllovaki dhe Slloveni-Qipro janë dy sfidat e tjera të grupit H.

Gjermania, e kualifikuar tashmë, do të mbyllë këtë fushatë eliminatore në transfertë përballë Armenisë. Në grupin J, luhet vetëm për vendin e dytë, një sfidë në distancë mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Maqedonasit presin në shtëpi Islandën dhe nëse fitojnë këtë sfidë blindojnë vendin e dytë, ndërsa rumunët luajnë në transfertë përballë Lihtenshtejnit. Rumania duhet të fitojë ndeshjen e saj dhe të shpresojë që Maqedonia e Veriut të mos fitojë ndeshjen respektive që të mund të sigurojë vendin e dytë në grup.

Sfidat e sotme do të luhen në tre orare të ndryshme: në orën 15:00, 18:00 dhe 20:45. /Oversport.tv