Finalet e Kampionatit të Futsallit / Tirana fiton raundin e parë ndaj Flamurtarit në transfertë

Është luajtur në Vlorë ndeshja e parë e finales së Kampionatit Kombëtar të Futsallit 2022-23 mes Flamurtarit Futsal dhe Tirana Futsal, sfidë që rezultatin 3-9 në favor të ekipit kryeqytetas. Ndeshja e zhvilluar në Pallatin e Sportit dhe ka dhuruar spektakël dhe është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh. Dy ekipet erdhën në këtë finale pasi mbyllën sezonin e rregullt në dy vendet e para dhe arritën të kalonin edhe turin play-off, duke siguruar kështu shansin për të siguruar trofeun më të rëndësishëm sezonal.

Bardheblutë kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Mërtirit që në minutën e parë, por vlonjatët barazuan  në minutën e 6-të me Kalus. Gjithsesi, miqtë kanë qenë më konkretë në finalizim dhe rigjejnë avantazhin me Kacën në minutën e 8-të, me sulmuesin që i çon shifrat në 1-3 vetëm dy minuta më vonë. Golat e Prendit në minutën e 12-të dhe Doçit në minutën e 13-të të e fiksojnë rezultatin e pjesë së parë në 1-5.

Në pjesën e dytë Tirana arrin të menaxhojë situatën, duke shënuar sërish me Mërtirin në minutën e 30-të, Muçën në minutën e 33-të dhe Prendin në minutën e 34-t, duke hipotekuar fitoren. Në minutat e fundit Flamurtari arrin të shënojë dy herë me Kapajn (38’) dhe Qopekaj (39’). Gjithsesi, Tirana realizon edhe një gol të fundit me Kacën për të vulosur rezultatin final në shifrat 3-9 në favor të bardhebluve.

Ndeshja e dytë e finaleve do të luhet më datë 27 prill 2023 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe nëse Tirana arrin të fitojë sërish atëherë do të shpallet automatikisht kampione e Shqipërisë në futsall. Nëse do të fitojë Flamurtari ndeshjen e dytë, atëherë do të luhet edhe ndeshja e tretë në Vlorë më datë 30 prill 2023.

Duhet thënë se ky sezon ka qenë një sukses i vërtetë në çdo drejtim, si në rritjen e skuadrave dhe futbollistëve pjesëmarrës, ashtu edhe në aspektin sportiv, duke ngjallur interes dhe emocione në pallatet e sporteve.

Sakaq, në fundjavë është luajtur edhe ndeshja e vlefshme për Kupën e Mirënjohjes mes Eagles Land Futsal dhe Forcat e Armatosura Futsal, që përfundoi me rezultatin 4-7 me Forcat e Armatosura që fitoi trofeun simbolik.

Kampionati Kombëtar i Futsallit

Finalet

23.04.2023, ora 18:00 në Vlorë

Flamurtari-Tirana             3-9

Shënues: Kalus 6’, Kapaj 38’, Qopekaj 39’ / Mërtiri 1’, 30’, Kaca 8’, 10’, 39’, Prendi 12’, 34’, Doçi 13’, Muça 33’

 27.04.2023 në Tiranë

Tirana-Flamurtari

 30.04.2023 Vlorë (Ndeshja e tretë nëse do jetë e nevojshme)

Flamurtari -Tirana

 Kupa e Mirënjohjes

21.04.2023, ora 21:00 në “Asllan Rusi”

Eagles Land Futsal – Forcat e Armatosura Futsal                   4-7