Sot në orën 20.30 në “Spodek Arena” Sllovenia dhe Italia do të përballen në finalen e madhe të Kampionatit Europian të Volejbollit për meshkuj. Një sfidë që do të kurorëzojë kampionen e re të kontinentit dhe që do të transmetohet Live dhe ekskluzivisht në Oversport.
Një ndeshje që ka shijen e një derbi, sepse sllovenët, që arrijnë finalen e tretë në 4 edicionet e fundit të këtij turneu, trajnohen nga italiani Alberto Giuliani dhe thuajse të gjithë lojtarët e grumbulluar për Eurovollej 2021 aktivizohen në kampionatin italian të volejbollit.
Italia e re e teknikut Ferdinando De Giorgit, ndonëse nuk e nisi me pretendime të mëdha këtë turne, ka luajtur shumë mirë, duke fituar të gjitha takimet që ka zhvilluar deri më tani.
6-herë kampionët e Europës synojnë të fitojnë titullin kontinental, që mungon prej 16 vitesh. Do të ishte një dopietë historike e volejbollit italian, pas triumfit të femrave, që në fillim të muajit u shpallën Kampione të Europës.
Sllovenia, nënkampionia në fuqi e Europës, synon titullin e parë në historinë e saj. Sllovenët nuk shkëlqyen në grupe, por treguan se janë një kockë e fortë në ndeshjet me eliminim direkt. Fitorja ndaj favoritëve të Polonisë në gjysmëfinale ka shtuar oreksin te skuadra e teknikut Alberto Giuliani.
Përballjet e mëparshme mes këtyre dy skuadrave janë në ekuilibër të plotë: në 8 takime të zhvilluara secila skuadër ka arritur 4 fitore. Por, dy skuadrat u ndeshën edhe këtë edicion në fazën e grupeve, në një sfidë që u fitua lehtësisht 3-0 nga Italia.