Polonia dhe Serbia ishin dy nga skuadrat pretendente për të fituar Kampionatin Europian të Volejbollit për meshkuj 2021. Kampionët në fuqi të Botës, favorizuar edhe nga fakti që luanin para publikut të vet, shiheshin si favoritët kryesorë të turneut, por Sllovenia u prishi sërish ëndrrën, duke i eliminuar në gjysmëfinale pas një beteje shumë të bukur sportive.
Kjo ishte edhe humbja e parë e skuadrës polake në këtë edicion të Kampionatit Europian. Zhgënjimi në kampin vendas është i madh, por Polonia do të synojë fitoren në finalen e vogël kundër Serbisë, që të ngushëllohet me medaljen e bronxtë në këtë edicion të Eurovollej.
Edhe serbët nuk arritën pritshmëritë e tyre në këtë eveniment. Humbja 3-1 përballë Italisë, shkurorëzoi kampionët e kontinentit, që duket se duhet të rinovojnë një brez, që ka fituar aq shumë. Mundësia e fundit për ta mbyllur me medalje karrierën, për disa nga veteranët e skuadrës serbe.
Dy skuadrat janë përballur edhe më herët në këtë turne, në fazën e grupeve, në një sfidë me 5 sete të cilën e fitoi Polonia 3-2.
Finalja e vogël Poloni-Serbi do të zhvillohet në orën 17.30 dhe do të transmetohet Live dhe ekskluzivisht në kanalet Oversport.