Fiorentina zbret në tokë Milanin, i shkakton humbjen e parë në Serie A

Fiorentina i ka shkaktuar humbjen e parë Milanit në javën e 13-të të Serie A pasi mposhti kuqezinjtë me rezultatin 4-3. Ekipi i Italianos zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë ku e gjeti veten në avantazh të trefishtë, ndërsa dopieta e Ibrahimovic i bëri akoma më spektakolare minutat e fundit.

Kështu, golin e parë për Fiorentinën e shënoi Alfred Duncan pas një gabimi të portierit Tatarusanu dhe mbrojtësit Gabbia. Mesfushori ganez e gjeti veten me portën bosh ku edhe nuk fali. Ndërkohë, për golin e dytë mendoi Saponara që nxori nga repertori i tij një supergol. Ai e bëri të pamundur fluturimin e portierit të Mialnit duke e ndalur topin në trekëndëshin e portës.

Golin e tretë për Fiorentinën e shënoi Dusan Vlahovic. Serbi shfrytëzoi një pasim të mirë të Alfred Duncan dhe pasi dribloi edhe portierin, nuk mund të falte me portën bosh.

Megjithatë, goli i tretë i Fiorentinës duket sikur e ndezi më shumë Milanin që vetëm dy minuta më vonë gjeti golin e parë me Zlatan Ibrahimovic. Një pasim i gabuar i Bonaventurës e la topin në këmbët e Ibrahimovic që me një predhë në portën e Fiorentinës ngushtoi rezultatit.

Do të ishte përsëri suedezi që do të hapte gjithçka pesë minuta më vonë pasi shënoi golin që e çoi rezultatin në 3-2. Kur u duk se Milani mund të bënte mrekullinë, ishte përsëri Fiorentina që shënoi golin e katërt. Gabimi i Theo Hernandez në limitet e zonës u shfrytëzua nga Dusa Vlahovic i çoi shifrat në 4-2. Megjithatë, rezultatin përfundimtar të takimit e vulosi Venuti me një autogol.

Kështu, Milani humbet pikë të vlefshme në kampionat në javën ku mund të përfitonte më shumë nga ndeshja direkte midis Interit dhe Napolit ditën e nesërme. /oversport.tv

SERIE A – JAVA E 13-TË
FIORENTINA-MILAN 4-3
Shënues:
Duncan 15’, Saponara 45+1’, Vlahovic 60’,86’ / Ibrahimovic 62’, 67’, Venuti (autogol) 90+6’