Fitojnë Phoenix dhe Warriors, Giannis tregon se është i pandalshëm

Fitorja e 11 radhazi për Phoenix Suns që tregon forcën kundër Brooklyn Nets. Vendasit fituan me rezultatin 121-111 duke vazhduar kryesimin e Konferencës Perëndimore. Devin Booker dhe Mikal Bridges ishin të pandalshëm këtë takim duke shënuar respektivisht nga 35 dhe 27 pikë.

Fitore ka arritur edhe Golden State Warriors, e gjashta radhazi për këta të fundit pasi mposhtën në transfertë San Antonio Spurs me rezultatin e ngushtë 124-120. Jordan Poole shënoi 31 pikë për Warriors, ndërkohë që Dejounte Murray i shkoi shumë pranë “triple double” pasi realizoi 27 pikë, 9 asist dhe 9 rebound.

Duke folur për “triple double”, ka qenë Giannis Antetokounmpo që e ka arritur diçka të tillë në fitoren që Bucks arriti ndaj Washington Wizards me rezultatin 112-98. Siç na ka ndodhur shpesh ta shohim njeriu i ndeshjes ishte pikërisht greku që realizoi 33 pikë, 15 rebound dhe 11 asiste.

Chicago Bulls vazhdon të kyresojë Konferencën Lindore pasi mposhti me rezultatin 126-115 Orlando Magic. DeMar DeRozan dhe Zach LaVine ishin dy lojtarët që shkëlqyen më shumë këtë takim duke shënuar 29 dhe 26 pikë.

Në ndeshje të tjera, New Orleans Pelicans mposhtën Detroit Pistons me rezultatin 111-101. Humbja e tretë radhazi për Miami Heat, këtë herë në transfertë kundër Toronto Raptors me rezultatin e ngushtë 110-106. Ndërsa Minnesota Timberwolves mposhti 130-115 Denver Nuggets. /oversport.tv