Fitore e rëndësishme për mbijetesën, Uzuni sërish vendimtar për Granadën

Myrto Uzuni ka bërë një tjetër paraqitje të madhe me Granadën e tij e cila ka marrë tre pikë shumë të rëndësishme për mbijetesë përballë Athletic Bilbao. Në sfidën që përfundoi me rezultatin 1-0, Uzuni arriti të jepte asistin në golin e vetëm të këtij takimi duke luajtur një rol kyç në këtë fitore.

Sfida nisi mirë për Granadën që rrezikoi që në minutat e para, ndërsa nuk mbeti pas as Athletic Bilbao që i shkoi shumë pranë golit vetëm disa minuta më vonë. Megjithatë, pas më shumë se gjysmë ore lojë, një gabim në mbrojtjen e Bilbaos i jep mundësinë Myrto Uzunit për të shënuar, por tregohet altruist dhe pason për Collado që e çon në rrjetë.

Edhe më vonë Uzuni do të shkonte sërish pranë golit, por goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën. Ndërkohë që beratasi provoi gjithashtu edhe me një goditje nga mesi i fushës për të surprizuar portierin, por pa fat.

Granada shënoi edhe një tjetër gol në minutat shtesë, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për një pozicion jashtë loje. Në fund Granada u ndihmua edhe nga shtylla me sfidën që përfundoi me rezultatin minimal 1-0.

Kështu, Uzuni dhe ekipi i tij marrin tre pikë shumë të rëndësishme për mbijetesën dhe tashmë ngjiten në kuotën e 37 pikëve, 5 më shumë se Mallorca që e rrezikon nga zona e ftohtë. Bilbao ndërkohë humbet pikë të rëndësishme në luftën për një vend në kupat europiane dhe ndodhet në vendin e tetë, një pikë më pak se Villarreal që ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur. /oversport.tv

LALIGA – Java 36
Granada – Bilbao 1-0
Shënues:
Collado 35’

Foto: Granada CF, Twitter