Fitore me gjak për Interin, Handanovic hero! Atalanta ngjitet me “silenciator”

Inter vuan dhe fiton 3-1 kundër skuadrës së Fiorentinës në transfertë, ndërkohë që edhe Atalanta i është gëzuar fitores në shtëpi kundër Sassuolo dhe ngjitet në kuotën e 10 pikëve, tre më pak se zikaltrit që kryesojnë për momentin.

Kampionët në fuqi duhet të falënderojnë kapitenin Handanovic, që i mbajti në lojë pjesën e parë. Ekipi Vjollcë shënoi vetëm një gol me Sottil, por mund të kishte shënuar edhe më tepër. Të paktën 5 raste të mira për gol pati Fiorentina.

Gjithsesi 45 minutat e para u mbyllën vetëm 1-0 dhe në të dytën Interi bëri përmbysjen e madhe në tre minuta. Darmian nuk gaboi brena zone dhe e çoi topin në rrjetë, sikurse bëri më pas edhe Dzeko pas një goditjeje këndi.

Harkimi i Calahanoglu gjeti sulmuesin boshnjak, i cili me kokë shënoi dhe i dha Interit epërsinë. Festë tek Interi, që e pati edhe më të lehtë në 10 minutat e fundit për shkak se Gonzales i Fiorentinës u ndëshkua me karton të kuq.

Interi e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe shënoi edhe golin e tretë, me autor kroatin Ivan Perisic. Një fitore me shumë vlerë për kampionët në fuqi, që edhe sivjet duan të festojnë titullin kampion në Serie A.

NDESHJA TJETËR – Atalanta i është gëzuar fitores së parë në shtëpi këtë sezon. Kundër Sassuolo gjithçka u vendos në 45 minutat e para, ku sulmet e skuadrës së Gasperini u konkretizuan me sukses dy herë.

Gosens nuk fali që në minutën e tretë të ndeshjes, ndërsa më pas shënoi edhe Zappacosta pas një aksioni të bukur me shumë pasime mes lojtarëve të Atalanta.  Po me një gol të bukur u kundërpërgjigj Sassuolo, që realizoi përmes Bernardi me një goditje nga distanca.

SERIE A – JAVA 5
Atalanta-Sassuolo 2-1
Shënues:
Gosens 3’, Zappacosta 37’ / Berardi 44’

Fiorentina-Inter 1-3
Shënues:
Sottil 23’/ Darmian 52’, Dzeko 55’, Perisic 87’

/ oversport.tv