Fitore me vuajtje për Medvedev, Rublev dhe Ruud luajnë për gjysmëfinalen

Ka përfunduar me një humbje, në një sfidë shumë të luftuar, aventura e Jannik Sinnerit në ATP Finals që po zhvillohet në Torino. Italiani dorëzohet përballë numrit 2 në renditjen botërore, Daniil Medvedev, duke u mundur 2-1, ndonëse ka pasur 2 mundësi për të mbyllur ndeshjen, që janë anuluar nga tenisti rus.

Seti i parë nuk ka patur histori dhe Medvedev fiton lehtësisht 6-0. Por Sinner reagon duke fituar setin e dytë 7-6 me “Tie Break”. Ndeshja ka qenë e ekuilibruar dhe seti i tretë është vendosur sërish me “tie-break”, por këtë herë ka qenë Medvedev ai që ka triumfuar 7-6 (10-8).

Rusi kualifikohet në gjysmëfinale pas tre fitoreve të arritur në grup dhe përballë do të ketë fituesin e sfidës së sotme Rublev-Ruud. Ndërsa gjysmëfinalja tjetër është përcaktuar tashmë, do të jetë sfida mes gjermanit Zverev dhe numrit një të renditjes botërore, Novak Djokovic.

Ditën e sotme do të zhvillohen ndeshjet e fundit të grupit të gjelbër. Rusi Rublev do të luajë kundër norvegjezit Ruud (ora 14:00) dhe fituesi i kësaj përballjeje do të kualifikohet në gjysmëfinalen e ATP Finals. Në mbrëmje, në orën 21:00, Djokovic do të luajë kundër Norrie. /Oversport.tv