Fitore të rëndësishme në transfertë për Spezian dhe Bolognan

Festojnë skuadrat udhëtuese në ndeshjet e orës 15:00 të kampionatit italian, pasi si Spezia edhe Bologna marrin nga një fitore të çmuar në transfertë respektivisht përballë Torinos dhe Udineses.

Spezia arrin të marrë tre pikë të çmuara në Torino, falë një golit të shënuar nga MBala Nzola nga pika e bardhë e penalltisë në pjesën e parë. Miqtë luajnë më mirë dhe marrin një fitore me vlera që i ngjit në kuotën e 18 pikëve në tabelën e klasifikimit. Një paraqitje për tu harruar kjo e sotmja për skuadrën e Torinos, që ndalet në kampionat pas 4 rezultateve pozitive radhazi.

Bologna reagon pas dy humbjeve radhazi në Serie A dhe merr një fitore të rëndësishme në “Dacia Arena”. Kuqeblutë përmbysin vendasit e Udineses dhe fitojnë 2-1 në transfertë. Sfida është e bukur dhe plot emocione. Bardhezinjtë zhbllokojnë shumë shpejt sfidën me Beton, që 5 minuta më vonë dyfishon rezultatin, por goli i dytë anulohet nga VAR për pozicion jashtë loje.

Bologna reagon dhe barazon me Sansone në fund të pjesës së parë, ndërsa në minutat e fundit të ndeshjes Posch firmos përmbysjen e madhe. Udinese futet zyrtarisht në krizë rezultatesh, pasi kjo është sfida e 10 pa fitore, ndërsa Bologna merr fitoren e parë në vitin 2023. / Oversport.tv

Foto: Torino Football Club Twitter