Fitorja e pestë në radhë për Warriors, Memphis bie në Phidalephia

Golden State Warriors nuk dinë të ndalen. Steph Curry dhe të tjerët kanë arritur fitoren e pestë radhazi duke mposhtur Houston Rockets 122-108. Ishte i përhershmi Curry lojtari që shkëlqeu më shumë në këtë takim. Ai realizoi plot 40 pikë i vetëm. Gjithashtu, 5 rebounde dhe 9 asiste për rekordmenin e tre pikëshave.

Philadelphia 76ers mposhti pas kohës shtesë Memphis Grizzlies me rezultatin e ngushtë 122-119. 37 pikë për Ja Morant që përtej faktit se shkëlqeu këtë takim nuk ia doli dot të ndihmonte ekipin e vetë të fitonte ndeshjen.

Humbja e dytë radhazi për Miami Heat që mposhtet në transfertë nga Boston Celtics me rezultatin e thellë 122-92. Jaylen BroWn ishte i pandalshëm këtë takim duke shënuar 29 pikë i vetëm. Po në formë të mirë ishte dhe Max Strus që shënoi 27 pikë, por ekipi nuk e ndoqi dot ritmin e tij.

Me tre pikë diferencë kanë fituar Cleveland Cavaliers kundër New Orleans Pelicans në sfidën që u mbyll 93-90. Ndërkohë Indiana Pacers mposhti 122-116 Los Angeles Clippers në një ndeshje ku shkëlqyen Coffey dhe Jackson respektivisht me 27 dhe 26 pikë secili.

Gary Trent udhëhoqi drejt fitores Toronto Raptors ndaj Atlanta Hawks me rezultatin 106-100. Trent realizoi 36 pikë si dhe 6 rebound. Fitojnë gjithashtu edhe New York Knicks kundër Sacramento Kings me rezultatin 116-96 dhe Oklahoma City Thunder kundër Portland Trail Blazers në një sfidë me pak pikë për NBA, 98-81. /oversport.tv