Emma Raducanu, fituesja e edicionit të fundit të US Open, është eleminuar në raundin e dytë të turneut “Indian Wells” nga Aliaksandra Sasnovich, që e ka mposhtur me rezultatin 2-0 (6-2,6-4).
Vetëm 27 ditë më parë, 18-vjeçarja i habiti të gjithë, duke u bërë mbretëresha e Nju Jorkut, por në shkretëtirën kaliforniane tenistja britanike ka zhgënjyer, duke u eleminuar nga bjellorusja që mban vendin e 100-të në renditjen botërore.
Raducanu humbi një mundësi për t’u ndeshur në turin tjetër të turneut me idhullin e saj, Simona Halep.
“Nuk kam shumë eksperiencë, jam shumë e re në këto turne. Jam vetëm 18 vjeç. Nuk mund të them se jam e lumtur në këtë moment, por kjo humbje më shërben si eksperiencë.
Kam shumë për të mësuar, pasi po përjetoj shumë gjëra të reja”, ka deklaruar tenistja britanike, duke pranuar mungesën e eksperiencës në turne të tilla. /Oversport.tv