Fjalët e para të Contes në krye të Tottenham: Le të kthehemi sërish protagonistë

Pas zyrtarizimit në stolin e Tottenham, Antonio Conte ka thënë fjalët e tij të para në krye të anglezëve. Ai u shpreh i lumtur për këtë aventurë të re, dhe foli për dëshirën që ka ta kthejë Tottenham në një ekip fitues. Gjithashtu ai arsyetoi edhe pse nuk pranoi të merrte drejtimin e Tottenham verën e kaluar, kur u largua nga drejtimi i Interit.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që i rikthehem stërvitjes dhe e bëj këtë me një klub të Premier League që ka ambicie të jetë sërish protagonist.

Verën e kaluar transferimi im te ky klub nuk ndodhi sepse fundi i marrëdhënies sime me Interin ishte ende shumë i freskët dhe emocionalisht isha shumë i përfshirë pas fundit të sezonit. Kështu që ndjeva se nuk ishte ende koha e duhur për t’u kthyer të stërvisja një ekip tjetër.

Entuziazmi dhe vendosmëria e Daniel Levy-t, si dhe dëshira për të më besuar mua këtë detyrë tashmë kishte goditur në shenjë. Tani që mundësia mu dha përsëri, unë zgjodha ta shfrytëzoj me bindje të madhe”.