Flamurtari “hakmerret” ndaj Luzit dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje

Flamurtari ka nisur me fitore fazën e dytë të kampionatit, pasi ka mposhtur 2-0 në transfertën e Peqinit skuadrën e Luzit. Erick Flores në pjesën e parë dhe Dos Santos në pjesën e dytë shënojnë golat e fitores, që i kanë dhënë tre pikë të arta skuadrës së Troisit, që pas këtij suksesi ngjitet në vendin e dytë në renditje në kuotën e 25 pikëve.

Vlonjatët hakmerren përballë debutuesve të Luzit për humbjen që u shkaktuan në premierën sezonale të Kategorisë së Parë.

Ndeshja, që u transmetua live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo, ka qenë e luftuar dhe e mbushur me emocione. Vlonjatët zhbllokojnë sfidën në fundin e pjesës së parë dhe më pas administrojnë avantazhin e krijuar. Luzi përpiqet të reagojë në pjesën e dytë, por janë sërish miqtë ata që shënojë edhe golin e dytë me Dos Santos në minutat e fundit të takimit.

Flamurtari fiton 2-0 dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje, ndërsa Luzi mbetet në kuotën e 18 pikëve. / Oversport.tv