Flet Skriniar: Nuk i dëgjoj kritikat, janë shpenzim energjie

Interi ka qenë në qendër të kritikave për këtë start sezoni, ku përgjegjësia më e madhe ka rënë mbi trajnerin Inzaghi dhe mbrojtjen. Një prej tyre edhe Milan Skriniar i cili është në qendër të thashethemeve të merkatos për një transferim në janar te PSG.

Për të sqaruar situatën ka menduar vetë mbrojtësi sllovak që ka dhënë një intervistë të gjatë për DAZN. Ai e nis fjalën e tij duke analizuar golat e pësuar në ndeshjet e para të sezonit.

“Golat i kemi pësuar të gjithë si skuadër. Është e gjithë skuadra që mbron, njësoj si sulmi që nis nga mbrojtja. Kemi folur të gjithë së bashku për këtë gjë. E dimë që si mbrojtës mund dhe duhet të bëjmë më mirë.”

KRITIKAT- “Shpresonim që humbja e titullit kampion të na motivonte më shumë për të fituar. Më pas nisën kritikat për ne sepse thuhej që ne ishim një skuadër e fortë dhe duhet të fitonim me forcë. Megjithatë, nuk duam t’i dëgjojmë kritikat sepse janë vetëm humbje kohe dhe energjie.”

INZAGHI- “Është njësoj si ne, flet dhe bën shaka me ne, por edhe kur është momenti për të thënë një fjalë më shumë e thotë. Është një trajner i ekuilibruar, argëtohet me ne, por e di dhe se kur duhet të thotë diçka më shumë ose atë që mendon.”

RAPORTI ME TIFOZËT- “Gjithmonë kam kërkuar që të jap maksimumin për këtë skuadër, duke luftuar për çdo top. Ndoshta për këtë gjë edhe tifozët më duan shumë. Kam një raport të mirë me ta dhe është diçka e bukur.” /oversport.tv