Florent Hasani për “Oversport”: Derbi special, ja kush mund ta vendosë sfidën

Sa herë ai ka shënuar, Tirana i ka fituar ndeshjet në këtë kampionat të Superiores. Deri tani janë 4 gola dhe 4 fitore: Bylis, Teuta,  Egnatia dhe Kukësi. Pa harruar që edhe në Superkupën kundër Vllaznisë arriti të gjente rrjetën dhe Tirana triumfoi. Por kjo nuk është rastësi. Florent Hasani e tregon për “Oversport” këtë ecuri fantastike.

“Unë e kam pasur këtë gjë edhe me ekipin tim të parë në Hungari. Kur shënoj unë, skuadra ime nuk humbet. Shpresoj që të ndodhë sa më gjatë dhe ndoshta edhe në derbi. Por nuk ka rëndësi shumë. Rëndësi ka të fitojmë”, tha fillimisht sulmuesi.

Ai është pjesë e skuadrës me sulmin më të mirë të kampionatit dhe sigurisht që sytë janë drejtuar nga ai dhe nga Xhixha e Patrik për të zgjidhur telashet dhe ndeshjen derbi. Mirëpo, Hasanit i interesojnë vetëm pikët.

“Nuk kemi presion ne sulmuesit për të zgjidhur ndeshjet. Nuk ka rëndësi kush shënon. Mund të jetë vendimtar edhe një qendërmbrojtës. Unë ndihem shumë mirë me Xhixhën dhe Patrik, por edhe me pjesën tjetër të skuadrës. Stafi ka bërë një punë të shkëlqyer për të na integruar sa më mirë në lojë”, shtoi 25-vjeçari.

Përballë Tiranës është sulmi i dytë më i mirë i kampionatit, Partizani. “Edhe ata kanë lojtarë cilësorë. Do të jetë një ndeshje e luftuar, por ne do të përgatitemi maksimalisht dhe shpresoj që të triumfojmë”.

Derbi është një ndeshje që nuk ka nevojë për motivim sepse që në stërvitje perceptohet një atmosferë ndryshe. Në kampin bardheblu duan që të vazhdojnë ecurinë e triumfit ndaj “Demave”.

“Është ndeshje speciale dhe ne duam që të vazhdojmë rrugëtimin pozitiv në derbi, madje jo vetëm në derbi, por në të gjithë kampionatin. I përgatisim ndeshjet për t’i fituar gjithmonë. Shpresoj t’ia dalim”, përfundoi Florent Hasani.