“Fluturon” Verona, mposht mes vuajtjesh Bolognan dhe ëndërron Europën

Verona vazhdon të shkëlqejë në këtë sezon të Serie A dhe pas fitores së vuajtur 2-1 përballë Bolognas në “Bentegodi”, skuadra e drejtuar nga Tudor mund të ëndërrojë një vend në Kupat e Europës (aktualisht veronezët qëndrojë 2 pikë larg zonës që të çon në Europë).

Miqtë kalojnë të parët në avantazh, por Verona arrin të përmbysë gjithçka. Caprari barazon rezultatin në pjesën e parë, ndërsa Kalinic shënon golin e fitores 5 minuta para përfundimit të sfidës.

Sfida e “Bentegodit” ka hapur javën e 23-të të Serie A në Oversport dhe Tibo. Verona nis ndeshjen vrullshëm dhe shfaqet menjëherë rrezikshëm me Simeone, që i afrohet shumë golit. Por në rastin e parë që shfaqet në portën e vendasve, Bologna gjen rrugën e rrjetës me Orsolinin.

Verona mundohet që të reagojë, por goli i barazimit vjen vetëm pak minuta para përfundimit të pjesës së parë. Caprari realizon një gol shumë të bukur, me thembër pas krosimit të Lazovic. Mbyllet 1-1 pjesa e parë në “Bentegodi”, plot ritëm dhe me dy gola shumë të bukur.

Pjesa e dytë hapet me dy raste shumë të pastra të Simeones, që i vetëm përballë Skorupskit nuk arrin që të shënojë. Vendasit janë më kërkues dhe rrezikojnë sërish me Caprarin.

Të dy teknikët bëjnë zëvendësime, por Tudor duket se godet në shenjë, pasi Kalinic pak minuta pasi është futur në fushë, shënon golin e dytë për Veronën.

Një gol me peshë, që i jep fitoren Veronës dhe e afron akoma më shumë me zonën që të çon në Kupat e Europës. Për Bolognan vjen humbja e tretë radhazi në kampionat. / Oversport.tv

Itali – Serie A / Java e 23-të

Verona-Bologna 2-1

Caprari 38’, Kalinic 85’/ Orsolini 14’