Formacion për t’u shpikur, por Allegri nuk e bën dramë: Gati për Napolin

Ndeshja e madhe e javës së tretë të Serie A vendos përballë Napolin e Luciano Spallettit dhe Juventusin e Massimiliano Allegrit në stadiumin “Maradona” në orën 18.00 ditën e shtunë.

Një sfidë që ndihet shumë nga tifozeritë e të dyja skuadrave dhe megjithëse është shumë shpejt, mund të vendosi shumë për ecurinë e dy formacioneve në këtë sezon.

Një pikë e grumbulluar në 2 ndeshje dhe një formacion për t’u shpikur për Juventusin (mes mungesave për dëmtime dhe rikthimit të amerikano-jugorëve nga kombëtaret respektive) në një sfidë shumë delikate.

Mungesa e Federico Chiesas është zyrtare, po ashtu edhe mungesat Dybala, Cuadrado, Bentancur, Danilo dhe Alex Sandro që nuk do të udhëtojnë drejt Napolit.

“Kemi shumë probleme, është e vërtetë. Kam vendosur që t’i lë lojtarët amerikano-jugorë në shtëpi, sepse kthehen vonë nga ndeshjet me kombëtaret respektive. Cuadrado mund të vinte në kohë, por pati një problem shëndetsor dhe qëndroi në Kolumbi.

Por këto nuk duhet të shërbejnë si alibi, s’duhet të përdorim fjalën emergjencë. Kemi formacionin ideal për t’u ndeshur me Napolin”-ka deklaruar trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri.

Më tej tekniku ka folur për kundërshtarin dhe pozicionin në renditje: “Do të jetë një ndeshje e bukur, sepse kemi përballë një skuadër në formë dhe me shumë vlera teknike. Renditja? Nuk na nxiton asgjë.

Do të rikuperojmë në kampionat ndeshje pas ndeshje. Objektivat e Juventusit janë gjithmonë të njëjta, në mars të luftojë për maksimumin në të gjitha kompeticionet”-ka përfunduar Massimiliano Allegri. /Oversport.tv