Formacioni më i mirë i karrierës, Duro zgjedh të besuarit e tij

Shpëtim Duro ka pasur 19 aventura të ndryshme në karrierën e tij, skuadra të reja dhe rikthime. Një nga trajnerët që ka bërë më shumë histori në futbollin shqiptar dhe ka ndërtuar ekipe të forta. Ai u përzgjodh nga Oversport si më i miri i muajit dhjetor për ecurinë pozitive që ka pasur me skuadrën e Egnatias.

Në intervistën e tij të gjatë që dha për Oversport News ai përpiloi edhe formacionin më të mirë me lojtarët që ka stërvitur gjatë karrierës. Duro e pranoi që është shumë e vështirë sepse mund të bëjë edhe ndonjë gabim për shkak se ka pasur shumë lojtarë dhe nuk do të harrojë ndonjërin prej tyre.

Mirëpo ai e pranoi sfidën tonë dhe me sportivitet ideoi 11-tëshen më të mirë.

Në portë zgjodhi Orges Shehin, si portierin me të cilin ka kaluar më shumë kohë si trajner. Ai tha se prezenca e tij dhe e Shkëmbit ishin shumë të rëndësishme për ecurinë e skuadrës së Skënderbeut në Shqipëri dhe Europë. “Unë kam pasur portierë të tjerë shumë të mirë, si Nallbanin dhe Alban Hoxhën. Albanit i kam thënë që të mos qëndronte në stol sepse mund të luajë për disa sezone në elitë”.

Në mbrojtje, Duro zgjodhi të besuarit e tij të Partizanit, skuadër të cilën e ndërtoi vetë përpara disa vitesh dhe të gjithë lojtarët kanë bërë karrierë. Fejzullahi, Rrahmani, Cuculi dhe Trashi janë katër futbollistët e përzgjedhur prej tij. “Të gjithë lojtarë që bënë karrierë me skuadra të ndryshme”, tha Duro.

Mesfushën ia ka besuar 2 lojtarëve të brezave të ndryshim si Batha dhe Poçi, këtë të fundit e vlerësoi për faktin që mund të luante në shumë role të ndryshme.

Një rol përpara tyre ka Bledi Shkëmbi, të cilin ai e ka përzgjedhur si kapitenin e këtij formacioni. E vlerësoi si një lojtar unik dhe shumë serioz në atë që ka bërë. Në krahët e tij janë Xhevdet Shabani, të cilin e ka pasur te Drita në Kosovë. Në krahun e majtë përzgjedh Menton Mazrekajn, të cilin me humor e quan “budalla” që nuk luajti dot me Kombëtaren shqiptare. Si sulmues kryesor ka zgjedhur Daniel Xhafajn. / Oversport.tv