Franca dhe Belgjika kërkojnë kualifikimin, Holandës nuk i lejohet hapi fals

Do të luhen ndeshjet e radhës këtë të shtunë për kualifikueset e Kupës së Botës “Qatar 2022”. Kështu, Franca dhe Belgjika do të luajnë të dyja për t’u kualifikuar në fazën finale të Botërorit. Francezët do të presin në shtëpi modestët e Kazakistanit ndërsa Belgjika, po në shtëpi, do të presë Estoninë.

Në gurpin G, që është edhe një nga grupet më të luftuara, Holanda do të udhëtojë në Malin e Zi ku kërkon tre pikë që do t’i forconin më shumë pozitat në vendin e parë në grup. Mirëpo, nga një gabim i mundshëm i Holandës kërkon të përfitojë Norvegjia dhe Turqia. Norvegjezët do të përballen në shtëpi kundër Letonisë, një sfidë e lehtë për ta në letër që do t’i mbante minimalisht në vendin e dytë. Turqia ndërkohë, do të luaj kundër vendit të fundit në grup, Gjibraltarit.

Në ndeshje të tjera Uellsi është në luftë për vendin e dytë në grupin E, me pikë të barabarta me Çekinë, por me një ndeshje më pak. Kështu ata do të përballen sot kundër Bjellorusisë ku kërkojnë vetëm fitoren për të forcuar pozitat në vendin e dytë. Sakaq, edhe Bosnja do të përballet në shtëpi kundër Finlandës në një ndeshje që fitorja është detyrim për të dyja ekipet. Tre pikë do ta çonin cilindo ekip në vendin e dytë. /oversport.tv